Sun. Oct 25th, 2020

Portali Informativ

Shekulli.mk

Shqipëria shënon 18 viktima dhe 333 të prekur nga COVID-19

2 min read

Në Shqipëri numri i të prekurve me koronavirus ka shkuar në 333 persona dhe deri tani kanë humbur jetën 18 pacientë.

Marjeta Dervishi, specialiste në Institutin e Shëndetit Publik, Marjeta Dervishi, ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit nga testet e kryera kanë rezultuar pozitivë me koronavirus 29 qytetarë.

“Ju informojmë se mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë në Spitalin Infektiv një pacient 67 vjecar nga Tirana, i konfirmuar me COVID-19. Pacienti ishte i shtruar prej 13 ditësh në spitalin infektiv, prej 6 ditësh ishte i intubuar dhe në hemodializë që e kryente brenda spitalit Infektiv. Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, 67 vjecari ka ndërruar jetë”, tha Dervishi.

Mosha mesatare e të prekurve me COVID-19 në Shqipëri është 50 vjeç.

Marjeta Dervishi tregoi se edhe numri i të shtruarve në shërbimin infektiv dhe rasteve që janë në terapi intenzive është shtuar.

“Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 66 të shtruar. 6 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa një është i intubuar. Pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente. Ndërsa në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 5 pacientë të shtruar, 2 prej të cilëve janë të intubuar”, tha zonja Dervishi.

Sipas saj, në dy spitalet që trajtojnë vetëm rastet me koronavirus në Shqipëri aktualisht po marrin shërbim 71 pacientë, ndërkohë harta e të prekurve është zgjeruar në Tiranë, Durrës, Elbasan Has, Lushnje, Kavajë, Lezhë, dhe Shkodër.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social. Është po kaq e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye për të parandaluar transmetimin e COVID-19”, u shpreh Dervishi.

“Lajmi i mirë është që gjatë 24 orëve të fundit kemi 10 pacientë të shëruar duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 99”, tha ajo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *