Fri. Nov 27th, 2020

Portali Informativ

Shekulli.mk

Deskoska: Deri nesër të dorëzohen amendamentet, VMRO-DPMNE: Vërejtjet t’i përgatisin ekspertët

3 min read

Vërejtjet e partive do të dorëzohen përmes amendamenteve apo amendamentet do t’i përgatisin ekspertët që morën pjesë në debatin publik? Këto janë dy qëndrimet e kundërta mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së për Ligjin për Prokurorinë Publike. Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska tha se disa nga deputetët që kanë marrë pjesë në debatin publik tashmë kanë dorëzuar amendamente, kurse VMRO-DPMNE-së i dha afat deri nesër në orën 12 t’i dorëzojë edhe vërejtjet e saj në formë amendamentesh me qëllim që të konceptohet teksti i ligjit.

“VMRO-DPMNE-ja nuk dorëzoi amendamente të veta, por lexoi vërejtje që kinse kanë dalë nga debati publik dhe të cilat thirren në Nene, hulumtime dhe në ekspertë të ndryshëm. Ne bile hapëm debat për interpretim të qëndrimeve të caktuara të ekspertëve dhe pamë se kemi lexim të ndryshëm të disa qëndrimeve. Kështu që, u ishte kërkuar që të përgatisin amendamente, njëjtë edhe grupet e tjera parlamentare të cilat nuk kanë dorëzuar dhe këtë ta bëjnë deri nesër në orën 12”, deklaroi Deskoska.Antonijo Milloshoski, në konferencën për shtyp erdhi me një listë vërejtjesh nga ekspertët që ishin prezentë në debat, edhe atë për rreth 25 Nene të Ligjit, të cilin, siç tha, shumica e ekspertëve e kanë vlerësuar si jo të kompletuar dhe me mangësi. Ai tha se nuk do të dorëzojnë amendamente, por do të kërkojnë që këtë ta bëjnë ekspertët nga debati publik. 

“Vlerësojmë se nëse Ministria e Drejtësisë ka vullnet politik që kjo temë të politizohet më pak, do të ishte mirë nëse si institucion përgjegjës për propozim të një ligji të tillë, t’i thërrasë ekspertët në fjalë dhe me ta mbi bazë të vërejtjeve të tyre të shpalosura publikisht të cilat nuk janë politikë, por profesionale, të përpilojë amendamente të cilat, sipas nesh, do të përballen me miratim të gjerë dhe mundësi më të madhe për arritje të konsensusit sa i takon këtij ligji”, theksoi Milloshoski.

Nga BDI-ja thonë se e mbështesin miratimin e Ligjit për Prokurorinë Publike, por se edhe ata kanë vërejtje dhe propozime.

“Shprehëm keqardhjen tonë sepse 10 amendamentet që ishin pranuar dhe miratuar në seancën e Komisionit për Çështje Evropiane për këtë ligj, nuk ishin përfshirë në projekt-tekstin e ligjit të fundit. Shpresojmë se do të inkuadrohen dhe thamë se duhet të reflektojë edhe Ligji për përdorimin e gjuhëve në punën e Prokurorisë Publike, por edhe të ulen kriteret, me qëllim që të respektohet përfaqësimi i drejtë i bashkësive”, potencoi Grubi.

Grupet e punës sërish do të takohen në hënën, ku siç tha ministrja e Drejtësisë, do të kompletohet teksti i ligjit, me qëllim që ditëve në vijim të hyjë në procedurë parlamentare. Nga VMRO-DPMNE-ja thonë se ata janë të gatshëm në çdo kohë sërish të ulen në tryezë për ta përcaktuar propozim-tekstin e ligjit. Tani për tani nuk dihet nëse ky ligj do të sillet para shpërbërjes së Kuvendit, gjë për të cilën këmbëngul bashkësia ndërkombëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *