April 19, 2019

Drejtori i Fondit Pensional Shaip Zeneli nuk ndien përgjegjësi për skandalin e 19 milionë eurove

Drejtori i Fondit Pensional Shaip Zeneli nuk ndien përgjegjësi për skandalin e 19 milionë eurove

Drejtori i Fondit Pensional, Shaip Zeneli nuk ndjen përgjegjësi për skandalin me 12 mijë qytetarë që u janë vjedhur pensionet, raporton Tv SHENJA. Gjatë një konference së bashku me ministren e Punëve Sociale, Milla Carovska dhe me drejtorin e MAPAS-it, Darko Sazdov, Zeneli tha se mediat e kanë keqinterpetuar ministren duke thënë se dikush ua ka vjedhur paratë pensionistëve. Për më tepër, Zeneli u tha gazetarëve se ato para që gjoja janë zhdukur ose vjedhur, janë në sistem dhe kanë shërbyer për pagesat e rregullta të Fondit. Ai nuk sheh asnjë vjedhje në këtë rast pasi që paratë nuk kanë dalë nga Fondi, por kanë mbetur në shtyllën e parë të sigurimit shtetëror.

SHAIP ZENELI, DREJTOR I FONDIT PENSIONAL  

“Ato mjete nuk kanë dalë prej Fondit. Nuk janë keqpërdorur. Ato para janë përdorur në mënyrë strikte vetëm për nevojat e Fondit. Më pyetët a ndjej përgjegjësi. Jo. E kam dëshmitare ministren por mund të jenë edhe administratorët se prej vitit 2016 kjo informatë është ditur. Informacioni  nuk ka rënë prej qielli por ka dalë nga Fondi Pensional dhe po kërkohej zgjidhje…Sistemi jonë pensional është më kompleksi në rajon dhe kemi mungesë harmonizimi të ligjeve, dhe për këtë është alarmuar prej vitit 2006″

I pyetur nëse mund të quhet gabim ose lëshim teknik, një fenomen që përsëritet për më shumë se dhjetë vjet, Zeneli insistonte se është një gabim sistematik për të cilin edhe Fondi që ai e drejton ka alarmuar, por tek tani janë marrë masat për të korrigjuar gabimin.

Gazetarët e kanë pyetur Zenelin nëse një problem teknik ose lëshim teknik  mund të ndodhë për më shumë se 10 vjet.

SHAIP ZENELI, DREJTOR I FONDIT PENSIONAL  

 “Ne besojmë dhe jemi të bindur se sistemi pensional është kompleks dhe me shumë anomanli dhe kjo është arsyeja. Prandaj edhe e kemi ngritur zërin edhe atëherë edhe tani dhe tani po punojmë në zgjidhje”

Ministja e Punëve Sociale, Milla Carovska, edhe më tej heziton ta drejtojë gishtin kah fajtori për manipulimin mbi 10-vjeçar duke thënë se ajo nuk është as organ hetues as përndjekës dhe se gjithçka do ja lë në dorë Prokurorisë Publike.

MILLA CAROVSKA, MINISTRE E PUNËS SOCIALE

“Meqë ne në Maqedoni flasim shumë për shtetin e së drejtës, duhet t’i dijmë elementet që e përbëjnë. Ekzistojnë organet të udhëheqjes, të hetimit, të përndjekjes, Ministria të cilën e drejtoj unë është organ i udhëheqjes. Ne e kemi për obligim që ta reformojmë sistemin, ta udhëheqim…Gjithë ekipi që duhej ta zbulojë çfarë ka ndodhur këto 12 vjet, ato e shohin nga aspekti i sistemit në tërësi. Kishim denoncime individuale, kishim informacione nga të punësuar, nga Fondi Pensional, se diçka brenda sistemin nuk është si duhet, dhe gjithë kjo është dokumentar në raportet e tyre. Asnjë prej këtyre ekspertëve nuk është forenzikë ose ka kompetenca për të bërë hetim. As unë nuk jam e obliguar që të zhvilloj hetim”

Edhe pse ministrja dhe drejtori i Fondit sigurojnë që dëmi është korrigjuar me kohë dhe se askush nuk ka pësuar dëm, nuk kishin përgjigje të qartë nëse 19 milionë euro nga buxheti që do të servisojnë pensionet e të dëmtuarve, nuk janë dëm ndaj shtetit. Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/

Related posts