March 22, 2019

Kokëdhima: Rama e ka përqafuar planin e Vuçiqit për ndarjen e Kosovës

Kokëdhima: Rama e ka përqafuar planin e Vuçiqit për ndarjen e Kosovës

Kryetari i Partisë “Zgjidhja”, Koço Kokëdhima, ka thënë se Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e “ka përqafuar” planin e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për ndarjen e Kosovës.

Kokëdhima e ka cilësuar qëndrimin e Ramës ndaj këtij plani si “tërësisht antishqiptar.

“Qëndrimi i Edi Ramës, është një qëndrim shumë i gabuar, tërësisht antishqiptar, sepse ky njeri e ka përqafuar planin e Vuçiqit dhe po punon për planin e tij, për ndarjen e Kosovës. Është thjesht e vërtetë. Është një lajm i keq për ne, por nuk është një lajm i ri ky. Ka shumë informacion për këtë çështje. Prandaj nuk flet dot ai. Ai bën sikur është OKB-ja. Kur flet për dialogun Kosovë-Serbi dhe kur flet për çështjen e shtruar në tavolinë sot, për shkëmbim territoresh, si edhe për ndarjen e Kosovës, ai bën sikur është Kombet e Bashkuara, jo sikur është kryeministri i Shqipërisë. Ai bën sikur nuk ka qëndrim. Por thotë, ‘unë flas për dialogun’. Bën si presidenti i SHBA-së, bën si Putini dhe si Trumpi”, ka deklaruar Kokëdhima, në një intervistë dhënë Tevizionit A2 News.

Kokëdhima ka thënë se partia “Zgjidhja” dhe ai personalisht është kundër ndarjes së Kosovës dher në këtë pikë e mbështet qëndrimin e Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai ka thënë se këtë qëndrim ia ka shprehur Haradinajt, në takimin që ka pasur para disa ditësh në Prishtinë.

“Për sa i përket shkëmbimit të territoreve, ne jemi absolutisht kundër ndarjes së Kosovës dhe shkëmbimit të territoreve, sepse Kosova nuk ka asnjë centimetër tokë serbe brenda kufijve të saj. Përkundrazi. Kosova dhe Shqipëria janë të rrethuara nga toka historikisht të banuara nga shqiptarët. Historikisht, me mijëra vjet. Ne jemi një komb i copëtuar mes shumë shtetesh. Dy shtetet tona, ai i Kosovës dhe ai Shqipërisë, rrethohen nga territore të lëna jashtë kufijve të tyre. Ne nuk pranojmë kurrsesi që territoret shqiptare të shkëmbehen me toka shqiptare. Ne nuk e përligjim atë që ka ndodhur historikisht, copëtimin e trojeve tona”, ka thënë Kokëdhima.

“Ne nuk kemi pretendime territoriale ndaj asnjë shteti, por nuk pranojmë që të copëtohemi akoma më shumë dhe të lëshojmë më shumë pjesë të territoreve historikisht shqiptare”, ka theksuar ai.

Kokëdhima është pyetur edhe në lidhje me emërimet e shtetasve të Kosovës në pozita të ministrave në Qeverinë e Shqipërisë. Ai ka thënë se ministrat e sapozgjedhur, në përgjithësi janë njerëz me “profil të ulët” dhe njerëz të dëghueshëm e servilë ndaj Ramës.

“Në përgjithësi, ministrat që u zgjodhën, ishin njerëz me profil të ulët, por nuk mund të jetë ndryshe, nuk mund të ndodhë ndryshe. Nuk bën ndonjë ndryshim, nëse është Rama ministër i Jashtëm apo është dikush tjetër. Gjithë zgjedhjet që bën Rama janë të tilla, sepse ai zgjedh vetëm lajkatarë, servilë e njerëz të bindur, që zbatojnë çdo urdhër, pavarësisht ligjit. Zgjedh njerëz që nuk kanë ndonjë arsye për të qenë atje ku ai i emëron, por për të përligjur pretendimin e tij se ky është Zoti, ky është Dielli, ky është shiu, ky është era”, ka thënë Kokëdhima. (r.m.)

Related posts