April 19, 2019

Gabim i (pa)vetëdijshëm në Protokol

Gabim i (pa)vetëdijshëm në Protokol

Shkruan Fadil Lepaja

“Shteti i rrejshëm, imagjinar, gjithsesi jo ekzistues“ i Kosovës, si e quajnë me përkëdhelje në Serbi, udhëtoi për në Paris. Krah për krah me Serbinë, Kosova mori pjesë si aleate, si fituese, në festimin e 100 vjetorit të përfundimit të luftës së parë botërore, në katedralen në Notër-Dam.

Sipas asaj thënies së moçme, të urtë, „Ku është sëmurja është edhe bari”, njëqind vjet pas, Evropa i ktheu Kosovës atë që dikur i kishte marrë kundër vullnetit të saj, pra i njihet e drejta për liri dhe shtetësi. Simbolikisht, e drejta që i ishte „njohur“ dikur Serbisë mbi këto territore, si plaçkë lufte, tash në mënyrë demonstrative po i merrej me prezencë të nivelit më të lartë, përfshi këtu edhe  Rusinë,  mbrojtësen historike të Serbisë. Aty ishte edhe Turqia, si trashëguese e Perandorisë Otomane, në kuadër të së cilës ishte asokohe Kosova, kur u „çlirua“ , dmth,  kur u okupua nga Serbia. Krejt kjo prezencë dhe zhvillimet në qendër të cilave ishte presidenti i Kosovës, shpalosin një proces  për të cilin ka një marrëveshje e cila një ditë do të bëhet e dukshëm edhe për qytetarët e zakonshëm.

E gjithë kjo mund të kishte kaluar pa u vërejtur, për shkak të vrapimit të çmendur të mediave pas presidentit Trump, Putin, apo yjeve të tjera politike të kontinentit, sikur të mos ndodhte një lëshim i pafajshëm, i (pa)vetëdijshëm protokolar.  Si me një qudi, presidenti i Kosovës, u duk në radhën e burrështetasve, menjëher pas presidentit rus Putin.
Kjo, gabimet në protokol pra, ju ndodhin edhe diplomacive perfekte ( si ajo franceze). Ajo që është më se e sigurtë, është se në këtë manifestim, ftesa për presidentin e Kosovës nuk ishte një gabim protokolar.  Aq më pak i tillë ishte, takimi dhe biseda (qoftë në margjina) e presidentit të Kosovës me  presidentin Putin. Apo ndoshta, presidentit Putin i rrëshqiti padashje premtimi se do të përkrahë një marrëveshje të paqes në mes Kosovës dhe Serbisë.

Natyrisht, në Serbi ka mjaftë të atillë që do të kundërshtonin këtë prezencë krah për krah të Kosovës me Serbinë, në një ngjarje me pjesmarrje kaq elite nga mëse 80 vende të botës, pjesmarrëse në një luftë të zhvilluar në kohën kur Kosova tashmë ishte e pushtuar nga Serbia, dhe nuk ishte subjekt i saj në asnjë formë. Do të rrebeloheshin madje.

Por, si thotë kokëftohtë, presidenti Serb: „ (Crvena) Zvezda, mund të bëjë qudira ( duke aluduar në fitoren e sajë mbi Liverpulin), por në politikë diçka e tillë nuk është e mundur“. Ai ua kujton serbëve se ekziston një raport forcash, të cilin ai është i detyruar ta marrë parasyshë.  Ai përpiqet, në fakt, të u sqarojë qytetarëve të vet, se në këtë rrëfim, „të fortët“ nuk janë me Serbinë, madje as Rusija. Kështu, për shkak të këtyre rrethanave, ai nuk mundi të qëndronte në radhë menjëherë prapa presidentit Putin, ku mendonte se e kishte vendin, sepse në raste të tilla protokolli është shumë i rreptë. Pra loja i tejkalon përmasat e Serbisë dhe ideja e dy presidentëve, duket se nuk është veç e tyre.

Çka po ndodhë? Prej nga kjo ftesë për Kosovën në këtë takim? Prej nga ky takim i presidentit Thaçi me presidentin rus? Çka po ndodhë ne regjion dhe përse tërë kjo gjakëftohtësi e presidentit serb dhe ky mirëkuptim i presidentit rus? Përse përkundër dialogut me Kosovën, Serbia po e forcon ushtrinë, po blen armatime të sofistikuara, po i ndërton fuqishëm marrëdhëniet edhe me Turqinë, pikrisht në kohën kur përbetimet e sajë për  integrimet euro-atlantike janë në kulm?
Përse z. Thaçi po lëvizë idenë e kufijve pikërisht në kohën kur përbetimet e tij për orientim euro-atlantik janë më të forta se kurrë?

Në bazë të gjithë treguesve, unë besoj se Serbia po përgatitet për luftë për territore, e cila do të jetë ndoshta e domosdoshme, nëse arrihet të komprometohet  dhe rrënohet parimi për mos ndryshimin e kufijve në Ballkan, çka për bindjen time është strategjia e vendeve Evro -Aziatike. Kjo, duke parë në një prizëm më të gjerë, paraqet para së gjithash interes rus dhe turk, për Serbinë, dhe Bosnjën dhe Hercegovinën jashtë BE-së dhe në orbitën e tyre.  Ndërtimi i marrëdhënieve me shqiptarët, në të cilat ka kohë që presidenti Vuçiç insiston përmes takimeve edhe me kryeministrin Rama, shpalosë konturat e një marrëveshje të mundshme ruso-turke për Ballkanin, ku kurriz i tyre do të ishin marrëdhëniet shqiptaro-serbe dhe ndërtimi i shteteve të tyre nacionale në Ballkan, duke prishur kufijtë ekzistues . Nëse arrihet të rrënohet ky parim, mbi të cilin janë ngritur shtetet multi etnike si Bosnja, Kosova, Maqedonia,  do të rrënohet gjithçka që është ndërtuar dekadave të fundit.

Para së gjithash, kur është fjala te loja me kufij, e cila e ka shqetësuar opinionin në Kosovë dhe Serbi, këtu, për bindjen time,  nuk kemi të bëjmë aspak me kufij të Kosovës dhe Serbisë, por me kufij të BE dhe Evro-Azisë, kështu që lobimi ruso-turk  në Vashington, dhe presioni i tyre mbi BE, është i orientuar pikërisht drejt asaj që të rrënoj këtë parim për mos ndryshimin e kufijve dhe të ndërtojë strukturën e re në Ballkanin Perëndimor,  të mbështetur në dy popuj të cilët ato mendojnë se i kontrollojnë.

Si mekanizëm, dhe si katalizator, si karrem po shfrytëzohet pikërisht dialogu në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë, nën moderimin,  e zyrtares së lartë të BE, zonjës pro ruse, Mogherini.

Prezenca e presidentit Thaçi në Paris, dhe takimi me presidentit Putin, shpalosin pikërisht idenë time të mëhershme se loja me kufijtë është agjendë Evro -Aziatike për Kosovën dhe Ballkanin. Si do të rrjedh krejt kjo, do të varet nga drejtimi që administrata Trump do të u jap gjërave, në raportin e tyre me BE dhe Evro-Azi. Takimi në Paris, në fakt shpalosë konjukturën e re, e cila është përgatitur  shumë gjatë. Pritet të shihet si do të rrjedhin gjërat me formalizimin e marrëveshjes së fshehtë në mes të dy bpresidentëve, e cila si po flitet nga (is)diplomat prorus,  tashmë është arritur. Gabimi në protokoll, mund të ketë qenë i qëllimshëm, edhe pse ambasadori francez në Beograd, kërkoi publikisht falje për këtë…

Related posts