April 19, 2019

Zgjedhjet e parakohësme, analistët të ndarë në qëndrime

Zgjedhjet e parakohësme, analistët të ndarë në qëndrime

Analistët e vendit janë të ndarë në nevojën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të kërkuara nga VMRO-DPMNE.

Profesori universitar, Isak Sherifi, thotë se Maqedonia mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme, pasi ekzistojnë predispozita për zgjedhje bashkë me presidencialet.
“Ka gjasa që Maqedonia, në mënyrë hipotetike, që në tetor të futet në një krizë tjetër politike, duke kërkuar qeveri teknike, apo qeveri të zgjeruar gjashtë muaj, apo deri në tetë muaj, për shkak se sa i përket KShZ-së të bëhet një lloj komisioni për një afat sa më të shkurtër gjashtë deri në tetë muaj. Do të thotë se këto janë sinjale se diçka mund të lëvizë në zgjedhje të jashtëzakonshme bashkë me ato presidencialet”,- deklaroi profesori universitar, Isak Sherifi.
Opinioni i tillë i Sherifit u kundërshtua në “Argument” në TVM2, nga analisti, Ilir Luma. Sipas tij, Maqedonia s’ka nevojë për zgjedhje, por duhet të ecë drejt anëtarësimit në strukturat euroatlantike për t’i ikur krizës së radhës.
“Atëherë do të ballafaqohemi me kriza të tjera që ndërlidhen edhe me stabilitetin e shtetit, por kriza edhe ekonomike, kriza edhe sociale, edhe në përgjithësi me krizë politike që nuk do të mund të gjejmë zgjidhje, madje jo edhe me një palë zgjedhje të parakohshme, por edhe njëqind, çdo muaj të bëjmë zgjedhje, pra zgjedhjet nuk janë zgjidhje”,– theksoi analisti politik, Ilir Luma.
Analisti, Xhelal Neziri, konsideron se zgjedhjet e parakohshme nuk janë në favor të partive politike shqiptare opozitare, pasi të njëjtat janë të pakonsoliduara.
“Janë shumë në disfavor të opozitës në Maqedoni që tani të ketë zgjedhje dhe nëse do të kishte zgjedhje do të përfitonin më shumë LSDM-ja dhe partitë e tjera që përbëjnë qeverinë, pra BDI-ja por edhe BESA e Shkupit dhe PDSh-ja, se sa opozita, pasi nga opozita kërkohet një aktivizim, kërkohet një ide politike dhe kërkohet një mobilizim shumë më i madh, gjë që nuk vërehet se është në publik”,- tha analisti politik, Xhelal Neziri.
Ndërkaq, Abdulla Memeti thotë se mungon serioziteti tek partitë politike shqiptare për t’iu qasur problemeve shtetërore seriozisht.
“Ne shqiptarët jemi në një pozitë me të vërtetë të palakmueshme, sidomos ja tani çështja e emrit, ndryshimi kolosal, askush nuk e bëri të madhe çështjen e marrëveshjes me Bullgarinë, a ishte në dëm apo nuk ishte në dëm të këtij shteti, a na tangon ne shqiptarëve ajo marrëveshje apo nuk na tangon. Për çështjen e emrit të kishës, po bëhen kërkesë për ndryshim dhe ne shqiptarët ortodoksë kemi qenë pjesa dërmuese. Ato kisha para se të jenë maqedonase kanë qenë kisha shqiptare”,– u shpreh analisti politik, Abdulla Memeti.
Analistët konsiderojnë se periudhën që vjen duhet zgjidhur çështja e emrit, pasi që në të kundërtën do të zbehet aspirata për integrim të Maqedonisë për një afat të pacaktuar kohor.

Related posts