August 17, 2018

Kosova nuk ka politikë të jashtme

Kosova nuk ka politikë të jashtme

Nga Veton Surroi

Lapsusi se Kosova nuk ka politikë të jashtme, nuk është larg të së vërtetës.

  1. Një lapsus i kryeministrit Haradinaj u keqpërdor nga politika në Serbi. Në një televizion të Beogradit ai deklaroi se Kosova nuk ka politikë të vet të jashtme, gjegjësisht bën pjesë në atë grup shtetesh politika e jashtme e të cilave bëhet në Washington. Në Beograd ky konstatim u shfrytëzua për të treguar se vetë shqiptarët mohojnë shtetësinë e Kosovës. “Çfarë shteti është ai që thotë se nuk ka politikë të jashtme të veten?”, pyetën apo konstatuan liderët serbë. Më duket se kryeministri, në vrullin për të treguar afërsinë e Kosovës me Amerikën, deshi të thoshte se, duke qenë nën mbrojtje të Amerikës, Kosova është në masë të madhe e lidhur në politikën e vet të jashtme e të sigurisë me Washingtonin. I doli, në thjeshtësim, formulimi, se Kosova nuk ka politikë të veten të jashtme. Dhe, pastaj dolën komentet zhvlerësuese ndaj tij dhe Kosovës në Beograd.

2. Në fakt, kryeministri nuk ishte larg të së vërtetës. Kosova në masë të madhe ka treguar se nuk ka politikë të jashtme. Shpallja e pavarësisë së vendit (dhe këtë e di nga dora e parë, sepse kam qenë i përfshirë në fazën finale) ka qenë e përgatitur nga SHBA-ja dhe shtetet mike, në radhë të parë Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania. Fushata e lobimit për njohje po ashtu. Ka pasur më shumë diplomatë francezë, për shembull, të angazhuar në njohjen e pavarësisë së Kosovës sesa ka pasur të punësuar Ministria e Jashtme e Kosovës, me shoferë e personel teknik.

Dhe, mbrojtja e së drejtës për të shpallur pavarësinë para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë qe fryt i angazhimit të Mbretërisë së Bashkuar, me ish -juristin kryesor të Foreign Office-it. Së fundmi, diplomacia gjermane është ajo që përpiqet dhe gjen sukses në krijimin e unitetit brenda BE-së në çështjet për të cilat shtetet anëtare që nuk e kanë njohur Kosovën duan të tërheqin në drejtim tjetër. Po, pra, ashtu siç mbrohet fizikisht nga NATO-ja, Kosova u mbrojt politikisht nga disa prej shteteve kryesore anëtare të NATO-s. Dhe, kur presidenti serb ndonjëherë i jep vetes leje poetike dhe thotë se Serbia nuk e ka hallin me Kosovën, por me shtetet e mëdha që e përkrahin Kosovën, është bukur afër realitetit.

3. Problemi i Kosovës (dhe i përkrahësve të saj) megjithatë nuk mund të kërkojë të ecë gjithnjë sikur biçikletat e fëmijëve, me rrota anësore. Shtetet e fuqishme presin që fëmija i quajtur Kosovë kaherë duhet t’i ketë hequr ato rrota anësore dhe të bënte xhiron çiklistike, duke u dëshmuar vetes dhe të tjerëve se nuk është në kategorinë e sub-fëmijës. Por, problemi tjetër i Kosovës është se kur u përpoq të ecte pa rrota anësore u rrëzua dhe vazhdon të rrëzohet. Sapo i erdhën gjashtë pikat e Ban Ki-moonit, me të cilat ofrohej parimi i bashkëpërgjegjësisë së Kosovës e Serbisë për Kosovën, presidenti, kryeministri dhe ministri i Jashtëm pranuan dhe dëshmuan se nuk dinë t’i japin biçikletës.

Pastaj u rrëzuan me Marrëveshjen e Brukselit dhe, duke u rrëzuar në çdo raund “historik” të bisedimeve, tregonin se si çdoherë janë më të suksesshëm-të suksesshëm në rrëzim. Pastaj kandiduan me theqafje në UNESCO, për të treguar se as atëherë nuk e kanë mësuar biçikletën. Dhe, për çdo ditë dalin me ndonjë deklaratë të operuar nga mendja e shëndoshë (“Serbia nuk ka nevojë ta njohë Kosovën”) për të treguar se katër rrota në biçikletë janë më mirë se dy.

4. Pra, problemi tjetër i Kosovës është iluzioni se, meqë Kosova nuk ka politikë të jashtme, dikush tjetër, dikush në Ëashington duhet të merret – me siguri merret, gjithsesi merret se s’bën – me politikën e jashtme të Kosovës. Por, aty tashmë kemi hyrë në zonën e befasive. Politika e jashtme amerikane në masë të madhe është larguar nga Evropa e Ballkani atë ditë kur presidenti George Ë. Bush deklaroi në Shqipëri se “mjaft është mjaft, Kosova duhet të jetë e pavarur”. Presidenti Obama i kaloi tetë vjet në Shtëpi të Bardhë duke dashur ta ndërrojë perspektivën e politikës së jashtme amerikane, prej zonave tradicionale si Evropa drejt zonave të interesit strategjik të shekullit XXI, arritjen e një zone të lirisë ekonomike në Azi me lidership amerikan si formë e kundërvënies kundërshtarit më të madh strategjik të shekullit XXI, Kinës.

Politika e jashtme e presidentit Trump ende nuk ka marrë formë, sikurse edhe vetë State Departmenti. Kjo do të thotë se përderisa SHBA-ja kërkon të vendosë stabilitet institucional në politikën e vet të jashtme, vështirë është që të vendosë stabilitet në politikën e jashtme të Kosovës. Në fakt, prej kohësh, prej presidentit Obama, politika e jashtme amerikane ndaj Kosovës është në autopilot, koordinatat e të cilit janë pjesë të një stabiliteti të establishmentit të sigurisë kombëtare : ruajtja e paqes në Kosovë e Ballkan, përkrahje evropianëve në negociatat e Brukselit, përkrahja arritjes së një marrëveshjeje obliguese ligjore që i mban Kosovën dhe Serbinë brenda botës “euroatlantike”. Autopiloti nuk është domosdo lajm i keq. Nuk është ndonjë politikë prijëse e jashtme, por drejtimin e ka stabil, tash për tash të izoluar prej turbulencave që ka mundur të shkaktonte apo ka shkaktuar presidenti Trump në politikën e jashtme amerikane. Por, në fund, nëse dikush kërkon pilotin, do ta gjejë autopilotin.

5. Një gjeneral i pensionuar dhe diplomat amerikan, dashamir i Kosovës, nuk mund të kuptonte kundërshtinë e brendshme në të cilën është gjendur Amerika. “Ju bëmë të pavarur që të mundë të ecni vetë, e nuk po mund të largohemi nga roli i babysitterit”. Analistët, politikologët, sociologët dhe diplomatët kanë shkruar ese, artikuj dhe libra për shtetndërtimin, duke u nisur nga ky shembull i Kosovës, “të pavarësisë me babysitter”. Gjithkund përmenden fjalët “është një proces”, “nevojitet kohë”, “shteti i ri”, “shteti i cili filloi nga zeroja”. Këto shpjegime tregojnë për papjekurinë e shoqërisë kosovare për të marrë detyrat e veta. Madje, nënkuptojnë se kjo papjekuri është e pritshme, do të ishte e pritshme në çdo situatë e shoqëri tjetër.

Por, unë kam interpretim tjetër. Mendoj se shoqëria dhe elita politike ishin krejtësisht të gatshme, prej kohësh, për të hyrë në pavarësi, me shumë pak “babysitting”. Por, elitat politike në pushtet zgjodhën një ndarje të logjikshme të punës, të logjikshme për natyrën e tyre të menduarit. SHBA-ja dhe fuqitë e tjera do të merreshin me pavarësinë, sigurimin e Kosovës, politikën e jashtme dhe gjëra të tjera të ngjashme që i shkojnë “babysittingut” e ato, elitat, do të merreshin me kapjen e shtetit, vjedhjen e qindarkës së fundit të parasë publike, rekrutimin në punë publike e private të çdo kushëriri të afërt e të largët dhe vendosjen e një rrjeti të kriminalizuar që do të krijonte stabilitetin e nevojshëm, pamjen e një gjoja stabiliteti shtetëror. Ja arsyeja pse Kosova nuk ka politikë të jashtme.

Related posts