September 23, 2018

Dashuria e ftohur e Ornelës, si propagandë e nxehtë pro Ramës!

Dashuria e ftohur e Ornelës, si propagandë e nxehtë pro Ramës!

AGRON GJEKMARKAJ

Edi Ramës, pas ditëve kuksiane dhe miellit në xhaketë, iu përkëdhel sedra. Ornela Vorpsi, një grua në zë e Tiranës, por edhe e suksesshme përtej saj ku vlera duhet të ekzistojë për t’u pranuar e shpallur, rrëfeu publikisht se paskësh rënë në dashuri me të kohë më parë. Vorpsi hyn mesa duket te njerëzit e mishit, të zemrës dhe të intelektit. E paskësh munduar gjatë ajo sevda!

Ai shkandull që të prish gjumin dhe qetësinë që të ngatërron natën me ditën e këtë të fundit ta errëson që të bën të ecësh mes dëshirës dhe marrëzisë, të vërtetës dhe banalitetit, që të kujton sëmbimin e këngës popullore “faculeta topa-topa, kur t’shoh ty po m’hapet gropa” dëbohet vetëm nëpërmjet rrëfimit ! Këso rastesh rrëfimi intim pse jo edhe ndanë një tryeze me qirinj e pak muzikë në sfond, e përmbush misionin e tij !

Por Vorpsi nuk mbeti këtu. Pasi u librua vetë duke shkaktuar potere e vëmendje, ajo ngjarjen e shndërroi në letërsi funksionale, në propagandë ! Ëndrrat, kur mbeten në sferën ideale e individuale prodhojnë krijimtari, vepra arti e letrare. Personazh i lakmueshëm për studiuesit e tekstit do të kishte qenë pedagogu artist i shndërruar në Kryeministër. Nga lëngimet e xhanit është shkruar letërsi e madhe.

Dante Aligerit, kur iu fanit Betariçja tek Ure e vjetër, nuk fjeti e la pa gjumë gjithë njerëzimin. Sa e madhe do të ishte kërshëria jonë për t’u sintonizuar me vegimet e Ornelës kur tek Urë e Tabakëve, një urë lavdie që lidh jetën me ëndrrën, në mesin e viteve ’80-të ka kaluar bandilli plot sqimë! E imagjinoni Don Kishotin një kalorës vetmitar, jashtë kuptimit dhe kohës! Vetmia është marrëzia e tij, por edhe shpëtimi ynë. Dështimet si kalorës e nxjerrin një figurë të mundur nga historia, por të pavdekshëm si personazh letrar. Ndërsa një armatë me Don Kishotë, sa në rrezik do ta vinte qytetërimin.

Ornela Vorpsi e thyen vetminë e saj dhe na thotë të gjithë ishin të dashuruar e të mahnitur me Edi Ramën në Tiranë e në Paris. Dashurinë pa njollë vajzërore e shndërron në dashuri politike si këshillë për bashkëkohësinë. Ajo e përkufizon atë si një personazh sa autonom po aq universal, një gjeni, përfaqë- sues të një populli të tërë. Mbase pavetëdijshëm i fton të gjithë, teksa ajo vetë po çlirohej nga brengë e dashurisë që të tjerët të provojnë ndezullinë e saj si një përzierje të erotikës me pushtetin.

Nuk janë të paktë ata që këtë takim publik të vonë me “jaranin” e me këso gjuhe e konsiderojnë shërbestari të pastër me një teknologji të panjohur më parë në këtë vend “të prapambetur”! Ky vend, edhe aq i prapambetur nuk është jo. Me një solidaritet të pazakontë, gratë që janë vërtitur përreth Edi Ramës mbrojnë njëratjetrën. Si fakt, si gjetje është e rrallë edhe në letërsi. Mes tyre, xhelozia, kjo intrigë e madhe, shtrihet e vdekur. Gjithsesi, pas trazimit të fillim prillit i duhej kjo përkëdheli që Ornela e hodhi në ajër si petal të këputur nga shpirti i saj i trazuar.

Sa mirë do të ishte që vërtet Kryeministri të merrej nja një vit me përkthimin e librave të Vorpsit në shqip, po me kohë të plotë ama, paradite e pasdite! Mbase kështu vendi mund të fitonte një përkthyes të mirë duke humbur një Kryeministër të keq. Ai më shumë se nga hapja e negociatave, ngjan i përhumbur prej nektarit të Vorpsit, të cilin në fakt e derdhi për të dehur ne të ngratët! Panorama

Related posts